ZEJNEPE ALILI - REXHEPI
PËRNDEZJE
Si lule dremitur në vazo rije,
kundërmoje aromë çiltërsie.
Në mua rrezatoje ëmbëlsi!
Më joshje me shpirtin urtak,
sa herë që buronte mirësia.
Në sy të buzëqeshte lumturia!
Dëshirë e brishtë jete më je,
si gjurmë shiu në pranverë.
Ndër vite mall më le!
***
Prek dhe prish idilën tonë!
Pakujdesshëm rrënon ëndrrat
dhe asgjë…, mbetesh një rebel!
Dy tre shikime të zjarrta hedh!
Janë mjaft për të robëruar një shpirt
që dallgëzon nëpër kohë.
Heshta para nurit tënd,
u përgjuma para hijeshisë tënde
se jam vetëm grua që dashuron.
FJALËT E PATHËNA
Në kohë të gabuar ecim,
të heshtur e të përvajshëm jemi,
me brengën e historisë në shpirt
dhembshurisht…
në këtë botë të çoroditur,
dëshmitarë të verbër mbetëm.
Lot e pritje amshimi,
në kohë të gabuar
fjalët ngjoken, u tret pakuptimësia,
veç relikte të shkapërderdhura
me madhështi gjarpërore,
po s’kanë vlerë mbi gërmadha.
Në Esperanto heshtën eruditët,
ngecën fjalët,si para Ciceronit engu
kur makthi shpërprish ëndrrat,
as në ankthe vrastare s’u mposhtëm,
madrigali mori vello dhembshurie.
SHPRESË PAS SHIUT
Loti dhemshëm rrëshqet faqeve
si rrëketë e shiut të sotëm,
çdo gjë më përmallon
si mungesa yte e kahershme.
Në korniza kujtimesh e ruaj
shpirtin tënd kristal,
delikat je kur më thua:
se më bëre kaq shumë të të dua?!
Në vend të fjalës të fal buzëqeshje
ajo të zhduk brengën, të shton shpresën
sakaq thyhet qelqi i zemrave tona.
Jo, s’na ndal shiu i sotëm rebel
as e nesërmja dritë e diellit,
me valixhet e shpresës për të ardhmen
ngremë dolli: Bekuar qoftë dashuria!
ËNDËRR JETE
Mesnata s’më solli prehjen e shpirtit
as hëna për çudi s’më bënte shoqëri,
pranë meje doja të jesh ti
I dashur...
vetëm të më fshije lotin në sy.
Me ngulm kërkoj puthjen tënde,
frymëzim për vargje poezish
nuk ngjeshet mashtrimi nga lashtësia,
imi je...
braktisi gojëligët, për ne është e sotmja!
Në fushëbetejën e jetës mbetemi të plagosur,
ca çaste i madh bëhet trishtimi,
po të fortë jemi, s’na mposht vdekja!
Me sy lutës...
buzëqeshur na fton jeta!
SODITJE
Në bebëzat e syve të tu
për jetë shoh lumturinë,
begatinë e shpirtit,
pavdekshmërinë e dashurisë.
Të gjeta fatlumsisht
si thesar guaske në fundet,
të ngrita në altar,
je idhull i vërtetë!