TË PRET MALLI IM Brenda kontureve, me lapsin e hollë, Puthjet e tua i mbyll çdo ditë, Aty mbi buzët e mia të vogla, Që buzët e tua t'i presin sërish.
Kufij të zinj e të rëndë u vë pritjeve, Brenda syve, janë liqene të qelqtë, Horizonte pa fund, tutje le të nderen, Malli im, i dashur, brenda vetëm ty të pret.
Më sheh çdo ditë nga pasqyra, i dashur, Me heshtjen e ëmbël, siç më shihje dikur, Të buzëqesh dhe lotoj brenda vetes, Që hapësirat me puthjet e tua t'i mbush...
DITËN KUR U VRA LIRIA
Nuk di çfarë dite ishte, Kur nga themelet, Ma përmbysën qiellin e syve. Kur ëndrrat m'i mbytën në gjak, E me stuhi shpirtin ma mbushën, Nuk di çfarë dite, a çfarë nate ishte...
Kur brenda lotëve të rëndë, Vargjet e bardha, Këngën e shpirtit ma burgosën, Nuk di çfarë dite qe! Orë e mallkuar rendte drejt meje, Apokalipsin tek unë për të sjellë…
Ditënatë e errët, Ku sytë e mi të mbytur në gjak flenë...
PA TY
Si një statujë që flë mbuluar nën dhé Pa puthjen tënde kam mbetur, E harruar nga koha me shekuj heshtje, Nga drita e diellit e paparë, e paprekur.
Po më zhbëhen, po më treten konturet Që dalta e syrit tënd m'i gdhendi, i dashur, Zbrazëti e shurdhër pikon lotët Mbi fytyrën që vetëm ti e bëre të bukur.
Asgjë, asgjë nuk jam pa vështrimin tënd, Puthjen që të më zgjojë nga sytë ditën, Veç natë e pafund dhe gjumë pa ëndrra Më pushton çdo hapsirë thellë në qënie.
MBI MURET E ROZAFËS
Muret e trasha, dhëmbët e gurtë shtrëngojnë, Të vërtetën mundohen të mbajnë fshehur, Kalldrëmet që gjak në shekuj kanë pirë të etur, Mundohen kodin e heshtjes ta tresin, Pas trokitjes së hapave të zhurmshëm...
Tradhëti që në gurët e parë, në themele, Ashtu si në mëngjesin biblik, vëllai ndaj vëllait, Mbi kurme njerëzish u ngritën muret, Mbi kurme zunë vend, njeri mbi tjetrin gurët...
Tradhëti, jetë dhe vdekje mbi rrëpira, Që me njera-tjetrën si gjuhë flake puthen, Derdhet koha papushim mbi muret e lashta, Evoluojnë tradhëtitë dhe mjetet e luftës...
Të zbrazura janë sot galerat në hyrjen e kalasë, Dhe një tufë pëllumbash gugasin në terr, Por dot nuk i heshtin të rënët, me mijëra, Ja që aty, mbi gurët mu në prag...
TË DUA
Ah ti! Që gjithnjë më le të tretem pritjesh, E unë ... dhe e tretur të dua, Të dua gjer në pikën time të fundit, Gjer në sekondën e vetme të mbetur.
Dhe pritja tretet sfondeve të ditëve të tua, Në silueten tënde që ëndrrave të mia më ndjek, Më zgjon e sërish në krahët e tu më përkund, Ashtu, e përhumbur të fle në pritjen tënde...
DËSHIRË PËR TË RILINDUR
U harkua koha mbi trupin tim të brishtë, Dhe teshat shpirti im ndërroi, Atje, pranë dritareve që poshtë shohin Bunën, Me fustan të bardhë më veshi, e flokët, Poshtë supeve, me diellin e verës m'i lëshoi...
Një vajzë që pret një anije të kthehet, A një pëllumb një lajm t'i sjellë nga larg, Në ato mure ku jeta që prej gjeneze flijohet, Aty, me dashurinë që s'vdes, të lindë... Prapë... e prapë... e prapë...
DUAME
I dashur, më duaj dhe kur koha Nuk ka kohe per ne. Aty, në një cep te zemrës së mbushur me furtunë, Një zog i mbështjellë në retë e zymta le të jem... Lermë të luftoj, të bie, të ngrihem, Me ty, Lermë pranë teje të jem! I dashuri im, më duaj! Koha një lloj do të jetë gjithnjë, Kolere!