MYRTEZA MARA
- TË KAM LINDJE NË PERËNDIM
Sot më hutove, më bëre të harroja
Lutjen e shpirtit që e kam si rit.
“Të vdes për ty!”, atë do të thoja ...
Siç e kam thënë edhe çdo ditë.
Por ti mos më ler të humbas
Në avullin e psherëtimave të mia
Të vdesësh për ty është fare pak
Për mua je jeta, je dhe dashuria!
Nga mungesa e dritës tënde verbohem
Ndihem si trung shkretëtire i djegur!
I vetëm edhe mund të shurdhohem,
Nga klithmat e dëshpërimit të verbër!
Të kam qelën e artë të besës e rrëfimit
Mekën e shpirtit ku falem si pelegrin
Të kam altarin e dielltë të flijimit
Të kam dhe lindje në perëndim!
- DASHURITË JANË DITËLINDJE
Më është dukur vetja shumë i varfër sot,
kërkova dhe s’gjeta shkallë për në qiell,
u ula në gjunj para të madhit Zot,...
për ditëlindjen tënde t’i kërkoja një diell.
Dhe një tufë me yje nga lëndina e kaltër,
do mblidhja me duart e nxehta të zemrës,
në zbritje s’do më duheshin më shkallët,
me krahë dashurie do ulesha në ëndërr.
Por qielli është larg, e di, shumë larg,
larg është edhe lisharësja e hënës,
në qiell ka ditë, por më shumë ka natë,
ti përkundesh si një këngë e ëmbël.
Dhe i end aq bukur rrjetat e puthjeve,
nën dritën e këngës ti qëndis ylber,
kot kërkoj qiellit shkallët e lutjeve,
kur shpirti yt është i tëri qiell.
Me ty jam i pasur mbi gjithë të pasurit,
dashuritë kanë ditëlindje çdo ditë,
hëna dhe yjet s’e zëvendësojnë dhuratën,
diellin e shpirtit bekuan perënditë.
- SHTATË GERMA
Në shtatë gërmat e emrit tënd
Shlodhen shtatë ngjyrat e ylberit.
Me shtatë nota mbillet çdo këngë...
Shtatë janë mrekullit e hemisferit!
Shtatë ditë e javës, një në çdo gërmë
E hëna,... e djela, të gjitha në valle
Ato shtatë gërma më lanë pa mend
Në shtatë qiej yjet ndezin zjarre!
Ato shtatë gërma janë gjaku i shpirtit
Janë engjëjt e bardhë që zbresin qiellit
Shtatë shandanët e qirinjëve të kishës
Larg nga shtatë rrathët e Aligherit!
Si në legjendë kam ngjitur shtatë male,
Blerim në shtatë gërmat e emrit tënd.
Simbolet e magjisë ndezin shtatë zjarre
Besa e besës si shtatë gurë të rëndë.
Shtatë gërmat e emrit-bekim i Zotit
Janë emblemat e kësaj dashurie
Shtatë janë të gjitha dhe shijet e lotit
Është flladi i vetëm i një simfonie!
Shtatë gërmat e emrit tënd
Janë shtatë shkallë drejt fronit të qiellit
Aty ku preh shpirtin çdo nënë
Atje ku ka vendlindjen dhe Dielli
Dhe unë shtatë germa kam në emër,
Shtatë strofa dhe në këtë poezi
Shtatë gërmat e mia kanë në zemër
Veç emrin tënd ndezur në përjetësi!
- MË MIRË KËSHTU
Më the se ke humbur një shok
Se miqësin e ktheu në dashuri
Ndaj dhe unë s'të afrohem dot ...
Se nuk dua të vuajmë të dy.
S’dua të humbas si notat e këngës
Kur pentagrami laget në shi
Nuk kemi faj që sytë janë në zemër
Në ballë rrinë thjesht si stoli!
Më vjen ta le kraharorin bosh
Dhe të endem si era në shkretëtirë
Doja që bashkë të ishim shokë
Pse duhet të ndahemi: “lamtumirë”?
Më mirë larg, për faj të zemrës
Arsyeja heshtur si guri në themel
Mos u mundo të vish as në ëndërr
As tek kafja, si çdo ditë të djelë.
Do kthehem tek stoli i heshtjes
Ta bind zemrën ndryshe, nuk di
Të ngushtë këta shtigjet të jetës
Më mirë kështu se një marrëzi!
- KU ËSHTË JETA?
Merre gëzimin tim si varkë me vela
Nëse do të lundrojmë nëpër ëndrra.
Dhe ison nëpër brigje do përhap era...
Kur kitara e dallgëve ndizet nga kënga.
Vetëm atje jemi lundërtarë të aftë
Mbi dallgë dhe shtratin e puthjeve.
Ëndrrat tona gjallojnë nëpër natë
Dhe ditën ndezim qirinjt e lutjeve.
Lutjet tona që kullojnë rrëshirë
Rrëshirë lotësh nga bregu i thinjur
Flakët e heshtjes si gurë të mpirë
Kambana e shpirtit çarë e ngjirrur.
Kaq smog intrigash s’ka parë qielli
Psherëtimat enden nëpër humnera
O Zot, po dielli? Ku është dielli
Mos ndoshta mërgoi n’orbita të tjera?
Prandaj gëzimin e rrisim nëpër natë,
Dhe ëndrrat fluturojnë si të verbëra
Na mbeti fryma tërë jetën mbi dallgë
Po jeta? Më thoni ku është jeta?
- TË MOS ISHE TI
Të mos kishe ardhur ti në këtë botë
Dhe unë do isha numëror i tepërt.
Pemë e tharë ku s’ulet asnjë zog...
Ishull kripe që nuk e njeh jetën.
Të mos ishe ti, unë s’do isha as i vdekur
Se fati na lindi për t’u dashuruar.
Të mos ishe ti dhe unë s’do isha, patjetër
Pa ty dhe koha do ishte e munguar.
Të mos jesh ti dhe unë s’ka si të jem,
Edhe po të jem do jetoj si gur i pajetë,
Por ja që ti je si kështjellë mbi erë
Siç është në qiell dielli i vërtetë.
Si mund të jem unë pa qenë edhe ti,
Si mund të frymoj pa frymën tënde!
Në këtë botë s’mund të ketë dashuri
Pa lundruar në detet e një ëndrre.
Të mos jesh ti, edhe unë, patjetër
Do ishim gurë në ortekun e fajsisë;
Apo dhe vetëm dy emër pa emër
Në shkretëtirën e pamatë të marrëzisë.