MANJOLA BRAHAJ
E PARA ASHT DASHNIA
Ne nisëm me puthjen e shikimeve tona,
u lamë n'langun e ullinjtë.
Vazhduem me matjen e gishtrinjëve,
i shkëmbyem me njani -tjetrin i shtërnguem.
Kanga mori udhën e ngritjes,
me kafshinin e buzëve t'përgjakta me epsh.
U stepëm se nji derë qe e hapun
nji shtrat na u desht.
Ritmi ndryshoi, mori turr egërsia,
u tërbuan trupat, u çmend melodia.
Nuk e di sa herë u bana rrgallë n'duert e tua,
Nuk e di sa herë u bane ujë n'kofshët e mia.
Kanga vazhdoi edhe ma me tërbim,
edhe ma me dëshirë.
I thamë njani-tjetrit
se nuk kishim provue ma mirë.
Në vesh shqiptuem fjalë që na ndezën flakë
e kanga filloi me u kërcye prapë...
Në kohë t'pa kohë pa fund as fillim,
e kërkove nji si unë,
e gjete shpirtin tim.
E preke me valë e dallgë,
e mbyte n'dashunim
Tash po m'fton prapë
në nji kërcim...
Kanga u lshue për trupash
duke na djegë shpirtnat
nuk di kur mbaroi,
nuk di kur u fikën dritat,
a kur nisi nji agim i ri?
Nuk di kur u ringjalla unë,
nuk di kur dole ti...
E para
asht dashnia
e dashnia,
jem' na t'dy...
A MUNDESH
Pasi derdha krejt langun e shpirtit tim n'krejt dhomat e tandit
A mundesh me jetue pa andrren e t'pamit.
A mundesh me ju dhanë çdo çasti pa mue?
Pasi kem' ndie krejt kangët që dashnisë ju kanë këndue,
A mundesh me marrë frymë e me vazhdue?
Vendet ku dhamë frymë e dashni,
A mundesh me i pa pa mue e pa ty?
Datat që shenuen kohën tonë t'gjallë prej dhimbjes deri n'asht,
A mundesh me i kalu kur ma nuk jem' bashkë?
Fjalët që shpirti yt ia tha veç timit,
A mundesh me i thanë pa ju dhanë trishtimit?
Shiun kur t'bien xhamash si ke me mujtë me e pa,
pasi unë s'do jem ma?
N'jetën tande si ke me gjetë për të tjerët vend?
Kur unë pushtova çdo skutë tanden?
A mundesh me m' harrue,
Tash që m' vrave andrren?
E NDJEJ SE KAM QENË KËTU
E ndjej se kam qenë këtu...
Kam qenë pemë n’kopshtin
e ullinjtë t’syve tu
Jam flijue për me u ba nji me ty.
E di që kam qenë këtu...
Kam qenë uji me t’cilin je la.
Toka ku ti ke shkelë,e ke shku.
Jam shkretue stinë mbas stine pa t’u afru.
Mundet me pasë qenë këtu...
N’kët botë universesh t’pafundmë;
kam qenë nota, kur ti ke qenë kanga,
kam qenë zgjimi, kur ti ke qenë andrra,
kam qenë drithma, kur ti ke qenë përqafimi,
kam qenë puthja, kur ti ke qenë kafshimi,
kam qenë druni, kur ti ke qenë zjermi,
kam qenë pija, kur ti ke qenë jermi,
kam qenë hana, kur ti ke qenë qielli,
kam qenë drita, kur ti ke qenë dielli,
kam qenë fjala, kur ti ke qenë goja,
kam qenë fmija, kur ti ke qenë loja,
kam qenë ngjyra, kur ti ke qenë stina,
kam qenë gjithçka
e jotja,kur ti ke qenë gjithçka e imja.
Në nji kohë t’pakohë,
ku muzgjet bajnë dashuri me terrin,
ku vitet nuk janë ma shenja orientimi,
kam qenë e jotja, kur ti ke qenë i imi.
E ndjej se kam qenë këtu...
dhe n’atë vorbull mjegullash
jam kryqëzue në t’ullinjëtën e syve tu.
VDES
Dhe vdes dashnia mbrenda syve t'lbyrtë,
prej dritës që e lëshoi shakull
mbi një tokë akull.
Ti, as unë nuk mujmë me e rujtë,
ajo ikë prej meje e tek ti,prej teje e tek unë,
me vdekjen në ballë,
me shpirt të untë,
na mbyt për me na lanë gjallë.
Dhe vdes dashnia,
ajo e andrrave me krahë t'bardhë,
se ka fat fluturas e gjak stinësh kalimtare.
I mbeten vetëm copat e kurmit hollak,
t'shartueme me dhimbje,
në nji tokë ku dashnia nuk asht shkrue me mbi.
Aty asht hija.
Aty janë hijet e krejt jetëve
t'jetueme n'mjegullat e dëshirës.
Se nuk mundet me pasë sy të tjerë,
se nuk mundet me dashtë andrrim tjetër,
se nuk mundet me pasë ma andrrim tjetër,
pos nji jete n'kërkim të vetes.
ASKUSH
Askush nuk e pa trishtimin tand t'nurtë
që t'u derdh aq herë nën vreshtat e qërpikëve tu.
Nuk u erdh keq as netëve, as ditëve!
Si me ndie keqardhje hyjnitë e dukjes?
Veç nji gaz përqeshës t' ra n' buzë
Si me tregue se qeniet e shprazta nuk njohin dashni,
si me tregue se kjo lloj kange
asht luejtë qysh kur n' fatin tand t'çmendun
prej gishtash t' huej,jo njerëzor.
Prapë, prapë me fillue!
A kanë fund fillimet e tua?
Prapë, prapë luhet nji muzikë e trishtë
gishta persefonash t'thurin fustanin e udhës tande!
Dhe askush nuk e pa nurin tand të trishtë
që gjatë gjarpnoi lkurës tande
e t' pruni veç dhimbje
që u përplasën pas shpirtit tand
si gjethe vjeshte t' rame mbi stola.
Nuk mujta, ndoshta ndaj nuk fola,
për me t' dhanë me kuptue se ti je prej drite.
Nuk mujta atëherë,
po sot e dite...