LIGOR STAFA
ARDHJA E NJË GRUAJE
Nën këtë çekan të rastësishëm na trazon
vështirësia për t’u bërë të pranueshëm
Një djall lëviz përmes zërave tanë
Një marramenth belbëzimesh
porsi një prekje poshtë rrobave
na rikthen zjarrin e humbur
na çon tjetërkund
na bën të fundosemi mes panikut
dhe dëshirës
Të shndërruar në derrkucë të adhurueshëm
qëndrojmë këtu
lidhur pas ëndrrës për t’u bërë
të padukshëm
Lidhur në një ishull që përvëlon
në mirazhet e tij
trekëndësha dhe shtrate
kaq afër nesh dhe kaq pamjengjitës
Teksa ndiejmë ujin në grykë
frymëmarrjet tona bëhen në një
duke pritur fundin e lojës.
TË VËSHTROJ VJEDHURAZI
Ndiej një muzikë xhazi nën lëkurën time,
kur ngjitem në këtë verandë kurthesh.
Kurth i trëndafiltë në ecje. I njejti plazh, rërë
tunduese. Kam uri për pohime të dhunshme.
Jam pusi e kaubojve që përgjon arratisjet.
Jam një eunuk që vuan nga deluzioni
i telepatisë. Më tërheq kjo aventurë,
ku gjithçka vërtitet mes mosprekjeve.
Vërtitet duke vërtitur format.
Përse ndihem i transportuar?Përballë
një album, një cocktail ngjyrash,
rrumbullakësitë e fshehta. Në trurin tim
një buzëqeshje brakonieri, një dorë
e padukshme, një përpëlitje buzësh,
gjoksi, gjunjësh, vithesh. Trupi im pret
një ftesë, një fërgëllimë mbathjesh
nervoze, që luten për shpëtim dhe mezi
presin të hidhen nga lartësitë.
Natyrisht i bukur ky kurth i trëndafiltë.
Vazhdon muzikë e xhazit nën lëkurën time.
AJO MË PREZANTOHET
Ajo më prezantohet
si N-n-n
Më vështron sikur në mesnatë
do të dërgojë në trurin tim
një ëndërr me pesëdhjetë nereida
me pesëdhjetë nereida
që zhveshin ca kostume akualanguistësh
dhe nxjerrin hera-herës mbi valë
gjinjtë e stolisur me tatuazhe
sa për të inatosur plakun Poseidon
sa për të hapur portën e mëkatit
tek unë
Ajo përtyp me nofullat e gjera
një këngë të egër vikingësh
dhe sytë e mi të kaltër
Përtyp
Me kofshët tmerrësisht të ngjeshura
Tredhjen time të padukshme
Duke mërmëritur nga kënaqësia
N-n-n ...
ME DËSHIRËN E MADHE
Duhet një çmenduri e vogël
Një si shfrim impulsesh
Pak mister
Pa menduar për komplotin
E pëshpëritjes
Që kërkon të dijë gjithçka
Se çfarë bëjmë
Me kë dhe përse
Pa atë çantën tënde të zeze
(Album + pasqyrë + kremëra)
Ankth i udhëtimeve tona
Vetem Unë e Ti dhe kaq
Me dëshirën e madhe
Për t’u arratisur nga qyteti SO2
Nga shkarravitjet mbi trupin e tij
4FeS2 + 11O2 → 8SO2 + 2Fe2O3
Vetëm Unë e Ti dhe kaq
Të shfrenuar
Të pambrojtur
Pakëz irracionalë
Pakëz dinakë.
ISHULL, PRITJE, TREKËNDËSH
Rrethuar riprodhimesh abstraksioniste
pres të vijnë ca vizitorë të zymtë
sa për të larguar mallin për njerëzit
sa për të gërgitur kalkun e kësaj mbushullikohe.
Pse nuk skicoj, ashtu kot, edhe ca njolla arratie?
Po kush do t’më presë në përjashtën e papërzemërt?
Duke shkarravitur muret për të 3652-tën herë
s = v • t
duke përgjuar hapat e qelisë sime
hapa para dhe prapa
pres të vijë gardiania mizore (si çdo ditë)
me atë uniformën e saj regëtitëse
pres t’më tregojë hekurat e dritares së hekurt
dhe arratisjen time (sa kam pritur!)
të gllabëruar çuditërisht
prej trekëndëshit të saj të zjarrtë.
SHPIRTI IM
Avull është ky shpirti im?
Gërmon ne çdo fjalë të saj se mos ndien lëmimdorën
endet nëpër rrugicat e fshehta të saj
Të dehet kërkon nga zëri i saj
i trallisur nga hijshmëriecja e saj
nga ai shpirt bukurie të pakalueshme
ai shpirt që të mek vargjet në grykë
Ruhet shpirti im nga padashjeprekjet e duarve
u shmanget edhe syve të butësisë së saj
që mund t’i tregojnë këputjen e krejtësishtshpresës
I përflakur do të kthehesh atëhere nga bredhëritja,
shpirti im!
PËR RRËSHQITJEN NË AKULL
Është një shesh i akullt që të mbërthen
me duart e tij te ftohta, shesh i akullt,
ku ti je një mundim që ndjek mënyrën
se si hapet një portë e kristaltë,
ku ti je një disk për tekat e natyrshme,
një pëshpëritje mes pëshpëritjeve
për rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen.
Është më pas një udhërrëfyes për lëvizje
të përkryera, një përqafim i egër
dhe një përqafim i akullt,
pritja për një zgjidhje,
por edhe një ankth që përvidhet netëve
për rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen.
Në këtë përzierje lëvizjesh, pritjesh,
ankthesh dikush shkon
duke imituar përbindëshin e tërhequr,
duke iu shmangur lornjetëve të bezdisshëm,
që fiksojnë ca imazhe
për rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen,
ku edhe magjia e këpucëve magjike
prishet.
GRUA MBI KALË
Një grua e gjitha e artë
rrethuar sysh
stoli nga oborri i luftës
kalëron në ditën e kurrizqelqtë
dhe turret si një panterë
mes gjoksit tim të çarë tejpërtej
mes bukmejkërsave të murrëzuar
në shkallët e hipodromit
E ruan të njejtën kënaqësi
të llahtarshme tek rend
për kushediseku
duke shtrënguar frerët
me thonjtë e ajrit të shkopsitur
nga ecejaket.
ARDHJA E NJË GRUAJE
Nën këtë çekan të rastësishëm na trazon
vështirësia për t’u bërë të pranueshëm
Një djall lëviz përmes zërave tanë
Një marramenth belbëzimesh
porsi një prekje poshtë rrobave
na rikthen zjarrin e humbur
na çon tjetërkund
na bën të fundosemi mes panikut
dhe dëshirës
Të shndërruar në derrkucë të adhurueshëm
qëndrojmë këtu
lidhur pas ëndrrës për t’u bërë
të padukshëm
Lidhur në një ishull që përvëlon
në mirazhet e tij
trekëndësha dhe shtrate
kaq afër nesh dhe kaq pamjengjitës
Teksa ndiejmë ujin në grykë
frymëmarrjet tona bëhen në një
duke pritur fundin e lojës.
TË VËSHTROJ VJEDHURAZI
Ndiej një muzikë xhazi nën lëkurën time,
kur ngjitem në këtë verandë kurthesh.
Kurth i trëndafiltë në ecje. I njejti plazh, rërë
tunduese. Kam uri për pohime të dhunshme.
Jam pusi e kaubojve që përgjon arratisjet.
Jam një eunuk që vuan nga deluzioni
i telepatisë. Më tërheq kjo aventurë,
ku gjithçka vërtitet mes mosprekjeve.
Vërtitet duke vërtitur format.
Përse ndihem i transportuar?Përballë
një album, një cocktail ngjyrash,
rrumbullakësitë e fshehta. Në trurin tim
një buzëqeshje brakonieri, një dorë
e padukshme, një përpëlitje buzësh,
gjoksi, gjunjësh, vithesh. Trupi im pret
një ftesë, një fërgëllimë mbathjesh
nervoze, që luten për shpëtim dhe mezi
presin të hidhen nga lartësitë.
Natyrisht i bukur ky kurth i trëndafiltë.
Vazhdon muzikë e xhazit nën lëkurën time.
AJO MË PREZANTOHET
Ajo më prezantohet
si N-n-n
Më vështron sikur në mesnatë
do të dërgojë në trurin tim
një ëndërr me pesëdhjetë nereida
me pesëdhjetë nereida
që zhveshin ca kostume akualanguistësh
dhe nxjerrin hera-herës mbi valë
gjinjtë e stolisur me tatuazhe
sa për të inatosur plakun Poseidon
sa për të hapur portën e mëkatit
tek unë
Ajo përtyp me nofullat e gjera
një këngë të egër vikingësh
dhe sytë e mi të kaltër
Përtyp
Me kofshët tmerrësisht të ngjeshura
Tredhjen time të padukshme
Duke mërmëritur nga kënaqësia
N-n-n ...
ME DËSHIRËN E MADHE
Duhet një çmenduri e vogël
Një si shfrim impulsesh
Pak mister
Pa menduar për komplotin
E pëshpëritjes
Që kërkon të dijë gjithçka
Se çfarë bëjmë
Me kë dhe përse
Pa atë çantën tënde të zeze
(Album + pasqyrë + kremëra)
Ankth i udhëtimeve tona
Vetem Unë e Ti dhe kaq
Me dëshirën e madhe
Për t’u arratisur nga qyteti SO2
Nga shkarravitjet mbi trupin e tij
4FeS2 + 11O2 → 8SO2 + 2Fe2O3
Vetëm Unë e Ti dhe kaq
Të shfrenuar
Të pambrojtur
Pakëz irracionalë
Pakëz dinakë.
ISHULL, PRITJE, TREKËNDËSH
Rrethuar riprodhimesh abstraksioniste
pres të vijnë ca vizitorë të zymtë
sa për të larguar mallin për njerëzit
sa për të gërgitur kalkun e kësaj mbushullikohe.
Pse nuk skicoj, ashtu kot, edhe ca njolla arratie?
Po kush do t’më presë në përjashtën e papërzemërt?
Duke shkarravitur muret për të 3652-tën herë
s = v • t
duke përgjuar hapat e qelisë sime
hapa para dhe prapa
pres të vijë gardiania mizore (si çdo ditë)
me atë uniformën e saj regëtitëse
pres t’më tregojë hekurat e dritares së hekurt
dhe arratisjen time (sa kam pritur!)
të gllabëruar çuditërisht
prej trekëndëshit të saj të zjarrtë.
SHPIRTI IM
Avull është ky shpirti im?
Gërmon ne çdo fjalë të saj se mos ndien lëmimdorën
endet nëpër rrugicat e fshehta të saj
Të dehet kërkon nga zëri i saj
i trallisur nga hijshmëriecja e saj
nga ai shpirt bukurie të pakalueshme
ai shpirt që të mek vargjet në grykë
Ruhet shpirti im nga padashjeprekjet e duarve
u shmanget edhe syve të butësisë së saj
që mund t’i tregojnë këputjen e krejtësishtshpresës
I përflakur do të kthehesh atëhere nga bredhëritja,
shpirti im!
PËR RRËSHQITJEN NË AKULL
Është një shesh i akullt që të mbërthen
me duart e tij te ftohta, shesh i akullt,
ku ti je një mundim që ndjek mënyrën
se si hapet një portë e kristaltë,
ku ti je një disk për tekat e natyrshme,
një pëshpëritje mes pëshpëritjeve
për rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen.
Është më pas një udhërrëfyes për lëvizje
të përkryera, një përqafim i egër
dhe një përqafim i akullt,
pritja për një zgjidhje,
por edhe një ankth që përvidhet netëve
për rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen.
Në këtë përzierje lëvizjesh, pritjesh,
ankthesh dikush shkon
duke imituar përbindëshin e tërhequr,
duke iu shmangur lornjetëve të bezdisshëm,
që fiksojnë ca imazhe
për rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen,
ku edhe magjia e këpucëve magjike
prishet.
GRUA MBI KALË
Një grua e gjitha e artë
rrethuar sysh
stoli nga oborri i luftës
kalëron në ditën e kurrizqelqtë
dhe turret si një panterë
mes gjoksit tim të çarë tejpërtej
mes bukmejkërsave të murrëzuar
në shkallët e hipodromit
E ruan të njejtën kënaqësi
të llahtarshme tek rend
për kushediseku
duke shtrënguar frerët
me thonjtë e ajrit të shkopsitur
nga ecejaket.