RAMI KAMBERI
GJËMA E PAQES NË ODEONIN E ATDHEUT TË POETESHËS DIJE NEZIRI -LOHAJ
Të kërkosh nëpër shpirt, të kërkosh brenda heshtjes dhe zërit tënd, të rrëmbesh qiellin dhe tokën që të ka pagëzuar e dritën e saj ta shndërrosh në poezi dhe t'i japësh shpirt që të flet mes shikimeve me ngjyra dheu, duhet të jesh i shkulit të tokës dhe qiellit pa mbarim.
Kjo na mëson se si t'i japësh jetë poezisë, t'i japësh shpirt dhe zë, ta bësh atë partnere jete dhe padyshim vlere të jetës e botës sate, t'i dhurosh jetë ndryshe nga të brendshmet e vorbullave të stuhive dhe nga të jashtmet e trishtimeve të moteve dhe të lartësosh mbi atë që e quajmë jetë.Prandaj duhet zhveshur lëkurën tokë, për të lartësuar kullën poezi.
Pa dyshim që duhet të jesh edhe një penë e kalitur dhe një lahutë e përflakur, që telin e ka prej rrënjëve të kullave, të cilat u brumosën nga këngët e hutave.
Me këto ngjyra jete është pa dyshim poetesha Dije Neziri - Lohaj, e cila edhe me libri n me poezi “Gjëma e paqes” na dëshmon dhe na detyron të kuptojmë se poezia e saj flet me gjuhën e një poezie jete, që ndjehet mirë brenda vargut poetik të poeteshës, e cila e ndërton poezinë e vete mbi një metaforë të shkëlqyer, me një ritëm të brendshëm, të fshehur thellë në zërin shpirtëror, ku ajo që të bie në sy është pikërisht atmosfera shpirtërorë poetike dhe bota e madhe shqiptare.
E gjithëpushtetshme në këtë poezi është drita që buron së brendshmi. Ai shpërthim i magjishëm ngjyrash e bën fjalën poetike të autores të jetë sa e veçantë dhe aq origjinale, sa i bukur po aq dhe befasuese.
Duke ecur me natyrë shqiptare gjithandej gjeografisë së atdheut, poetja na lejon që ta kuptojmë se sa e vlerëson poezinë e saj si një vlere të brendshme dhe të pakontestueshme për natyrën, që e mban emrin e saj dhe, që e pagëzon me gjuhën e nënës, që nuk diti të shteroj ndër shekuj sado që furtuna e stuhi të kalojnë mbi të.
Vet poezitë brenda librit dëshmojnë se poezia për lumturinë e poetes është, sa mikeshë, aq dhe perandoreshë e zemrës, sa shoqe, aq dhe armike, sa abstrakte, po aq edhe konkrete dhe me një gjuhë shprese mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës. Poetja na detyron të besojmë se edhe vdekja merr kuptim jete, jetë me sa dashuri, po aq edhe dhimbje.
Mbushur shpirtin plot me lumturi dhe dhimbje, poetesha Lohaj është në kërkim të së bukurës dhe të së shëmtuarës së atdheut dhe popullit të saj. Prandaj vetë libri “Gjëma e paqes” na flet se poetja ka treguar vlerat e saj si krijuese, por edhe vlerat e saj si krijuese, por edhe vlerat e saj kombëtare e njerëzore, lidhjet e saj të pazgjidhshme me poezinë dhe botën e thellë të ndjenjave dhe lidhjet me dashurinë për njerëzit e saj më të afërt dhe tokën, e cila i jep shpresë për jetë.
Ja se si konceptohen lidhje unike ndërmjet poetes dhe poezisë:
Nëpër përvjetorë kryqëzonim kurmin tonë,
Pikonin stalagmite vargjesh për atdheun,
Sytë e diktatorëve soditnin si të çmendur,
Dhe zhbënin fije-fije ëndrrën tonë të endur.
Gjithë gjakun tim e derdha si lumë,
Qëndresa qëndiste emblemën e lirisë,
Degëzat e dheut u skuqën nga tërbimi,
Ashtu si binte në tokë zemra jonë nga zemërimi.
Ose:
M’i liro prangat,
Se s’rri dot e prangosur!
M'i zgjidh vargonjtë e tërbimit,
Dua që qenia ime të jetë qenie e lirë,
E të lëshojë lotët, zjarrin dhe flakët
Buzëmbrëmjeve të pabesa...
Përtej mitit të kuçedrës.
Natyrisht, poetja është dhe një estetë e mirë dhe e thellë. Brenda poezisë së saj “Gjëma e paqes” shpaloset me gjithë dimensionet e saj duke i dhënë poezisë një frymëmarrje të gjerë dhe, mbi të gjitha, një shpirt me plotë dritë të brendshme nëpërmjet vargut shpërthyes.
Kjo është dhe ajo magjia e heshtur e poetes, që e bënë vargun nga vargu intim e personal në atë të përgjithshëm dhe të vrullshëm, që të flet mu ashtu si flet edhe vet toka shqiptare.
Poezia e Dije Neziri- Lohaj të krijon shumë zgjime të brendshme dhe natyrisht shumë mendime, të cilat janë produkt i filozofisë së vargut të autores.
Një pasuri tjetër e veçantë e poezisë së poetes është dhe figurshmëria poetike, e cila është mjaft i gjetur dhe i vendosur në mënyrë mjeshtërore atje ku duhet. Ajo nuk është asnjëherë e tepërt apo e konceptuar keq. Vjen si produkt figuracioni poetik i vetëdijesimit dhe spontanitetit të çiltërsisë së saj.
Poezia e Dijes tingëllon si një triumf sinqeriteti, sa shqiptar, po aq edhe njerëzor, e ardhur përmes zërit të brendshëm dhe ngrohtësisë së autores, e cila gjithçka e përjeton mjaft bukur dhe në mënyrë poetike
Shumë përjetime të autores në këtë libër janë shenduar në poezi brilante dhe mjaftë kumbuese. Jehona e tyre të mbetet gjatë në kujtesë dhe të zgjon pasionin për dashurinë ndaj atdheut e njerëzve që e ruajnë dhe e lulëzojnë me hapat e tyre rrugëve të jetës dhe moteve të kohës, me një fjalë, për njerëzit dhe botën e saj.
Është më se e qartë se për njeriun dhe dinamikën e jetës, për botën reale dhe imagjinatën, si dhe për koherencën e mirësisë dhe së keqes, arsyeja është bërë një fushë , që nëpërmjet ndjenjës dhe dijes proteston kundër gjuhës e sundimit, e cila kohës i flet, herë me portrete nga e kaluara e botës shqiptare e njerëzore, herë me natyrën e reales, si e vetmja gjuhë, që vë në lojë arsyen e mendimit, ku poezia bëhet armë që fton drejtësi.
Pa dyshim, këtë armë e ka poetesha Dije Neziri- Lohaj, e cila rrugës së jetës i shfaqet me poezi, me libra të natyrës ndjenjë, e në veçanti me librin “Gjëma e paqes”, i cili na lejon të themi se logjika dhe ndjenja mbi arsyen e drejtësisë e ka fjalën e ndërmjetme, e cila me anë të cikleve udhëzues, i nxjerrë të ndara me presje ose pikëpresje fjalët, për tē thënë të veçantën e arsyes, që e ndjenë për botën reale shqiptare dhe natyrën e atdheut.
Një veçori tjetër, që bie në sy, është mendimi zotërues i ndjenjës, i cili mbizotëron kohën dhe koherencën e realitetit , si mjet i arsyes dhe i gjuhës së mendimit, duke krijuar kështu të ashtuquajturën armë mbi arsyen e mendimit poetik të kohës për kohën.
Dhe, duke u shtrirë në tërësinë e librit “Gjëma e paqes”, shohim se autorja del të ketë një stil mendimi, të cilën mund ta emërojmë stili nominal, ngase shkruhet me odeonin e fjalës së shpirtit, e cila buron nga shkuli i tokës shqiptare, si shpatë sfiduese për treguesit e caktuar:
• Të koherencës së populli,
• Të koherencës së atdheut,
• Të ardhmërisë së largët e të afërt,
• Të dashurisë për më shumë se dashuri për lirinë,
• Të vetes për të jetuar kohën me dashuri dhe
• Të ndjenjës për t’i sfiduar sfidat, që e sfidojnë botën shqiptare
Themi shprehjet nominalizuese, të cilat shfaqen, herë se janë statike, herë se janë dinamike, duke u shoqëruar me impersonale, abstrakte dhe në to lehtësisht mund të anonimizohet objekti i përshkrimit të atdheut, popullit shqiptar dhe moteve që ecën mbi të nëpër motet e shekujve.
Në ecje, arsyeja e poezisë sikur kthehet si kategori jete, e cila është kthyer në tipar stilistik, nê një dashuri për shumë arsye, që të jetojmë të lirë e të bashkuar në atdheun tonë – në një Shqipëri të ribashkuar.
Në ritmin e sintaksës së mendimit, poezia e poeteshës, si arsye, i nënshtrohet ritmikës së ndjenjës dhe intonacionit të kohës dhe dinamikës së saj.Pra, ligjërimi, nga e kaluara jonë shqiptare, bëhet gjuha e të folurit, duke u lidhur drejtpërdrejt me sintaksën e poezisë dhe sintaksën e jetës, për t’u lidhur me kallëzuesit e mendimit të autores.
Disa nga poezitë lidhen edhe me intuitën, si gjeografi e veçantë midis emrit të tokës dhe përcaktorit të autores, ku mes kësaj fushe hyjnë arsye të cilat lidhen drejtpërdrejt me parimin e jetës si interesim sundues dhe nxitës për analiza jete, sepse edhe vetë autorja është përpjekur që të afrojë largësinë, drejtësinë dhe realitetin midis botës së sotme shqiptare dhe botës së ikur shqiptare.
Pikërisht me arsyen e poezisë të autores dhe logjikën e cila nuk lejon që të mbyll ciklin mbi arsyen e poezisë, ashtu siç e do vetë autorja, lexuesi - njeriu mund të pajtohet ose të mos pajtohet me mendimin e saj.
Në qoftë se mendimi i kritikës dhe metakritikës, si aktivitet individual, është që të tregoj se si dhe në ç’mënyrë ekziston poezia mes nesh,atëherë lirshëm mund të themi se poetesha Dije Neziri- Lohaj me librin“Gjëma e paqes” del të jetë postulat teorik si kombinim i pjesës me tërësinë, i sinkronisë me diakroninë, i strukturës së brendshme (ndjenjës) me realen e botës shqiptare me botën jonjerëzore, pastaj i konkretes me imagjinatën, i sunduesit me të sunduarin, i logjikës me arsyen, i të së kaluarës me të ardhmen etj. Në këtë postulat poetik e teorik, me larminë e fjalës, veprojnë: ndjenja, intuita, arsyeja, logjika dhe liria e mendimit, e cila tenton të arnojë lirinë mes njerëzisë me kuptimësinë e njerëzores.
Ndaj, për ta dëshmuar arsyen e mendimit se pse autorja u detyrua që të trajtoj tema shqiptare, jemi të detyruar që t’i lexojmë poezitë të cilat jetojnë brenda librit “Gjëma e paqes” si një libër i cili është i mbështjellë me kopertinat Tokë e Qiell dhe ku shihet qartë se si nga faqja në faqe arnohen poezitë për të arnuar të pesë ciklet e tij:
• Brenda mureve të lirisë,
• E çmendur kërkoj farat e jetës,
• Unë e nëma Bjeshkët e Nëmuna,
• Kur zemra brof nga dheu dhe
• Gjurmë në hirin e jetës sime
Po qe se lexohen me ndjenjë të njerëzores dhe të kombëtares, ciklet në fjalë a mos na lejojnë të mendojmë se koha për pyetje dhe përgjigjeje kaloi dhe se kohës i duhen edhe fjali të ndërmjetme, si fjali shpjeguese, të cilat nga koha në kohë pa marrë parasysh motin, dalin të ndara mes veti, si: atdhe dhe atdhetar, komb dhe kombëtar, robëri dhe liri, bashkim dhe ndarje, njerëzia dhe njerëzorja, hyjnia dhe realja, njeriu dhe zoti.
Ky lloj mendimi, i shtyrë nga arsyeja, që dominon në librin “Gjëma e paqes”, i mbështetur mbi forcën e shpirtit dhe mbi bukuritë që të vrasin, të ekspozuara në çdo kënd të muzeut atdhe , si dhe mbi koherencën e historike shqiptare dhe mbi dëshmitë e luftërave për liri e bashkim, karshi heronjve të kombit e dëshmorëve dhe filozofisë së mendimit, të ngjyrosura me ndjenjat e poetes, bashkë me shtigjet jetës së saj, justifikon interpretimin e fjalës me forcën e poezisë, që e shfaq vepra, ku më qartë shihet tek vet titulli i librit “Gjëma e paqes”.
Së fundi, po theksojmë edhe një herë se në rrafshin e sintaksës poezi, libri “Gjëma e paqes” i autores Dije Neziri- Lohaj, si kryefjalë e shkruar me shkronja të dalluara është ATDHEU, si dhe mendimi për të sfiduar të keqen, i shqiptuar aq herë, saqë shndërrohet në fjalë të përngjitur, në varg e reshtë, por që jep porosi për të kuptuar se si dallohet konkretja nga idealja, shpirtërorja dhe kombëtarja nga egoja e hienave dhe nihilizmi i zaptuesve e kanibalëve e tradhtarëve, të cilët s’kanë të sosur mbi faqen e tokës shqiptare të planetit Shqipëri.