Visar Zhiti
ZBATHUR SHËTITËT NËPËR BUZËT TUA
Zbathur,
Vetëm zbathur
Shëtitet nëpër buzët tua.
Këmbët mu mbushën
Me petale të kuqe puthjesh
Që më bien gjatë ecjes.
Dhe kështu u krijuan yjet
Në qiellin tonë prej toke.
MBI NJË FOTOGRAFI SHKRUAJ NJË LUTJE ZOTIT
Mbi portretin tënd shkruaj një lutje zotit,
Balli i shndërroi fjalë në dritë mëngjesi.
Dy epitetet e vetullave
Dhe sytë e mëdhenj, sugjestionues,
Që unë të besoj se gjithnjë penat e botës
Mërmëritin lutjen blu
Të syve të tu.
Te buzët
Ngjalën fjalët e mia (si puthjet?)
Dhe thonë të vërtetën.
Ja lutja-liqen i vogël, dallgëzon
Dhe fytyra jote-mozaik
I gjallë nën ujë.
JETON NË SYRIN TËND
Siç duket
Unë jetoj brenda në syrin tënd.
Bashkohen qerpikët,
Vjen nata për mua,
E ngrohtë.
Gjumi im rrëzon rrobet si gjethet e mëdha.
Kur të treten, të mos të di gjë
Që jam ajo pemë në largësi.
Zogjtë ndërtuan një fole. Është zemra Ime.
Pastaj dhe një zemër tjetër
Me fijedritë
Dhe me kokrriza dheu si dhimbjen
Te krahët e mi e ndërtuan zogjtë.
E dija
Është zemra jote.
E pashë
Kur hape sytë dhe solle agimin tim.
Kam kaq kohë që jetoj në syrin tënd,
Dhe që të shplodh,
Dal herë pas herë shëtitje
Në formën e kulluar të lotëve.
VAZHDIMISHT TRADHTOHET NJERIU
Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.
Tradhtohet njeriu
Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.
Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.
Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.
DHURATË HYJNORE
Ne fillim ishte puthja e dorës ne ëndërr-
hënë ndjellëse qe afrohet.
E pranuam fatin të vuajmë
magjishëm si hyjnoret.
Ti kërkon të më futesh brenda vetes
mua, tufanin e dëshiruar, që shkallmon
shkallë dhe ankthe,
pritje dhe dritare,
anët e trupit tënd
për t'i ribërë sërish prej drite të dritës.
Qysh të mbërrij nga fundi i barkut
te gjinjtë e tu, të diejt
që i shtrëngoj si fëmija dy zogj të artë,
të mos i ikin më të përralla drithëronjëse.
Zambakë të mëdhenj afshesh na mbështollën.
Pastaj mes mjegullave dehëse
të rënkimeve dhe psherëtimave
shoh si bie fytyra jote
nëpër humnera parajse,
bie dhe unë, s'te ndahem,i mbërthyer
pas teje me buzë, me të gjitha buzët e mia
nëpër lëkuren e shpirtit tënd,
qe u mbush me muzgje te vogla, blu.
Ah,të paskam kafshuar si mollën biblike.
(Dhembja është tejet e ëmbël.)
Ti je molla prej kohe
që s'mbaron.
Po klithmat e tua më vërsulen
si thika të paqena vezullimesh
me ornamente dhembjeje të argjendtë.
Në shpellën e mistereve
futa një si këmbë
(...)
dhe endem nëpër relievin e gjallë-
mish i shenjtë jetë.
Herë-herë galopojë me ty
si një kalores nëpër re,
ndërsa kapërcenim ylberin
u ça gjoksi i pelës dhe dolën trumba
pëllumbash
si pasione të papërmbajtura.
Rashë, u bëra varkë,
në detin tënd sërish e fut lopatën,
për të tjera drejtime e rreziqe të lumtura
nëpër
dallgët e tua të kurmit që përhapet,
he e mbart me qilima të befte fluturues,
e shtrij reve, pastaj
s'po duroje ti, fërgëllojë
nën
rr
ë
k
e
t
ë
e yjeve të
bardha,
të nxehta e të ftohta
që i derdha brenda teje
dhe u bëra ujëvarë e egër përjetësie.
Je gati të përmbytesh e tera
për të ridalë,
ishull i begatë pasurish frikë.
Avitesh për t'u
bashkuar me burrërinë time,
të madhe sa toka.
Unë jam gati të vdes
në kryqin prej mishi
që e dua për t'u ringjallur tek ti,
që edhe herë të tjera të bashkohemi të përflakur
si shigjeta që çan zemrën e një embleme
dashurie
në një mur të gjallë.