ALBERT BANI
BRENDA ËNDRRËS
Dua të hyj brënda ëndrrës tënde, të shikoj e ndjej
Si dukem unë nga sytë e tu përgjumur kllapi
Jam duke të puthur, e në qeshje e gaz shpërthej,
Apo lotuar jam, ashtu trishtuar gjithë mërzi.
Nëse ndonjëherë, do të hyje ti në ëndrrën time
Me sytë e mij do të shikoje veten...lulëzuar
A jam unë ?-do të thoshe, këtu në ëndërrime
Apo një lule e bukur qënkam...nga ''ai'' dashuruar.
LARG
Sa çuditem me retë e purpurta në qiell
Në largësinë e tyre, ngelen të bardha borë
Sa afrohen, nxihen, dhe s'duket më Diell
Befas,loti shi i tyre, lag faqe e dorë.
E kundërta ndodh me ne ...e vogla ime
Ne largësine e kemi shi , brengë e lot
Kur puthemi e dehemi në ledhatime
Dy shpirtra jemi...por bëjme një të plotë.
Ndaj, vonë e kam kuptuar, që retë na kane zili
Xheloze, të nxira që ne kundërshtojmë qiell
Pra, hajde ta vendosim, e të biem në ujdi
Largësitë të sjellin lotë...e përqafimet Diell.
NUMËRUAR
Çdo frymë dhe fjalë, t'i kam numëruar
Rrokjet dhe gërmat, t'i mblodha i etur
Heshtjen shënova, dhe i lumturuar,
Në qiellin e tyre, mes yjesh kam mbetur.
Rrahjet e zemrës, dëgjoj gjithashtu
Me pulsin e saj, shpirti im vrapon
Kur gjoksi ul ritmin, e ulen sytë e tu
Atëhere me pyesni- a po jeton ?
DHE JETË PO TË KISHTE
Më erdhe pranë në çast të shkretë
Në pikëllim, lëngatë, urI
Nuk mbylle sy, me ditë, me netë
Me mbushe plot me dashuri.
Fytyrë e sy, kur pe trishtuar,
Ti nuk më the kurrë lamtumirë
Në vuajtje dallgësh i harruar,
I mjerë, degdisur, shkretëtire.
Lot i dhimsur, zemra jote,
Ngushëllim i shpirtit tim,
Sytë e tu, Diell i kësaj bote,
Dritë magjepëse në agim.
Dhe në ardhsha prapë në jetë,
Syte e tu do t'kerkoj malluar
Stuhi, shtrëngatë, e shi të ketë
Emrin tënd, kam për t'bekuar.
Dhe jetë po të kishte një të dytë,
Drejt teje do të vija si i marrë
Një strehë të ngrohtë, atje te syte,
E, s'do kthehesha kurrë në varr.
I BINDUR
Kur brenga bëhet lëmsh në gjoksin tim
Me duar e lotë, përkulem dhe e prek
Lënduar kur kam shpirtin, dhe në sy trishtim
Endërr t'bardhë shikoj...të zezën, e ndjek
Në ditët e dhimbjes, u heshta i ngrysur
Por syri qepallën, s'e la kurrë syposhtë
Nga zjarri në zemër, s'fjeta i përmbysur
Çohu..!-me thosh vetja-ti lëmshin të largosh
Syhapur,i bindur, unë me gjoksin flakë
Me dritën e agimit, u nisa n'fluturim
Andrrall e mjegullzeza, ikën shpejt e vrap
Ndaj, s'më dhemb dhimbja, s'më ndal asnjë zhgënjim.
PA PUSHIM
Të dielave, si sot, ti herët mos u zgjo
Do të le unë të shplodhesh, sa të duash
Dhe për halle e derte, fare mos u mundo
Unë pranë teje jam, e nuk të le të vuash
Veçse, unë një zakon të keq kam, për dreq
Nuk dua, që buzët e tua të bëjnë pushim
Ngaqë të mijat buzë, puthja jote i ndreq
Më duhet...ç'të bëj...të të puth pa pushim
Kështu që, kjo punë të gjeti e do ta heqësh
Që buzët e tua, të dënuara të jenë përjetë
Që puthje nga mua, çdo çast të presësh
E...të shtunë, të dielë, për buzët mos të ketë.
LUTEM PER TY
Një pllakë trotuari më duhet të ndreq
Ku gruaja ''hijerëndë'' kalon përditë
Të thyerën, patjetër, më duhet ta heq
Një tjeter, të sigurt, nxitimthi do ngjis
E kam kujdes këtë grua, çdo çast
Kur shpresa brenda ëndrrës në rrugë kalon
Une ndalem përherë...bile bëj pas
Kur hapi i saj, i dyfishtë, nis e gjemon
O, mbretëreshë e së ardhmes, ti më ngazëllen
Me engjëllin e bardhë, që rrit në shpirtin tënd
Ndaj lutem për ty...për diten qe vjen
Dhe vargje të thur...t'vjershëroj dhe këngë.