DORINA BEHARI
BIJA IM, MOS U NDIKO!
Para se të vije ti në jetën time, unë doja të kisha pesë djem. Gjithkush që më njeh, e di shumë mirë dëshirën time të dikurshme. Unë doja që ti të ishe djalë dhe këtë vazhdoj ta them ende sot, pa patur frikë dhe turp. Por qëllimi im nuk ishte aspak qëllim brutal, ashtu si shumë qëllime të tjera në vendin tim të vogël nga prej kam jetuar. Qëllimi im ishte një qëllim i lart dhe plot dashuri.
Unë doja ti dhuroja Shqipërisë pesë djem të edukuar.
Pesë djem të cilët kur kthehen në shtëpi, i heqin këpucët në derë dhe rrobat e përdorura i vendosin në koshin e rrobave të palara.
Pesë djem të cilët kur nuk gjejnë ushqim të gatuar, vendosin përparsen dhe gatuajnë vetë.
Pesë djem tëcilët pasi hanë e ngrenë pjatën dhe e vendosin në lavaman dhe e pastrojnë vendin ku kanë ngrënë.
Pesë djem të cilët dinë të dhurojnë lule pa patur nevojë për festa por vetëm për një arsye, për dashuri.
Pesë djem të cilët dinë ta ruajnë zemërimin dhe të qetësojnë veten pa u shfryrë ndaj personave më të dobët.
Pesë djem të cilët dinë ta kryejnë më së miri rolin e babait dhe rolin e bashkëshortit.
Pesë djem të cilët nuk presin për para nga prindërit në moshë madhore por dalin ta kërkojnë paranë me punë dhe nder.
Pesë djem të cilët dinë të jenë burra.
Kur mora vesh gjininë tënde gati më shumë se gjysma e të njohurve të mi më thanë "Mos u mërzit!", sepse mendonin për dëshirën time të dikurshme. Por jo. Unë nuk u mërzita aspak. Mu kujtua rastësish historia e Merjemes " Marias", kur nëna e vetë e mbarti në trup. Ajo ia premtoi Zotit atë fëmijë, për shërbim ndaj Tij dhe i kërkoi Atij që ta pranonte si dhuratë. Kur lindi Merjemja dhe ishte femër( gjë që bënte të vështirë përhapjen e besimit në Zot në atë kohë nga një femër), ajo iu drejtua sërish Zotit "Zoti im, unë e linda femër dhe atë e pasaardhësit e saj po i lë në mbrojtjen Tënde prej djallit të mallkuar" . Ajo grua nuk e dinte se cilë do ta bënte Zoti Merjemen e vogël. Ajo nuk e dinte se Merjemja do të ishte nëna e Isait(Jezusit).
Mu kujtua kjo histori bija ime dhe ju drejtova Zotit në një lutje shpirti. Ai e dinte dëshirën time së bashku me qëllimin e saj. Ai e dinte bija ime. Ai vendosi të më jepte një vajzë sepse Ai jep më të mirën ndaj cdokujt që ia kërkon Atij me qëllim të pastër. Dhe ti je më e mira për mua. Unë besoj në mënyrë absolute se Ai ka rezervuar për mua, për ty dhe për pasardhësit tanë më të mirën, sepse vetëm Ai e di sec është më e mira.
Bija ime, sot që je rritur pak më tepër, dua të të them se je fryma ime, e për mua nuk ka asnjë pendim.
Bija ime, mos u ndiko! Ti je një femër, dhe për gjininë tënde radhiten shekuj të tëra lufte. Një luftë e panevojshme. Meshkuj që të shtypin dhe gra që të mbingrenë në rolin tëndë në shoqëri duke të bërë perëndeshë. Mos u përfshi në këtë luftë! Është e ashpër dhe aspak frytsjellëse. Mos u ndiko bija ime! Asnjë nuk ka të drejtë në të. Ti je një njeri, e brishtë dhe e fortë, e pabarazuar me askënd, sepse ke kapacitetet e tua në fusha të ndryshme. Vetë brenda llojit tonë, ne femrat s'mund të jemi njësoj të afta. Besoji vetes dhe mos u përul përpara askujt përvec Zotit. Atij përulu, sepse të krijoi, me të meta dhe të mira bashkë. Mos u ndiko bija ime dhe mos merr pjesë në luftra të kota! Jeto me fisnikëri dhe lumturi! Kënaqu me cdo gjë që ke dhe ndihmo me po aq sa ke! Një ditë, në dashtë Zoti, do të martohesh. Uroj që ai burrë i cili do të martojë, të jetë si një nga pesë djemtë që kam ëndërruar të kem! Uroj gjithashtu që Zoti të begatoj me fëmijë dhe nëse do të kesh djem, të bëhem ashtu sic i kam ëndërruar!
Eja bija ime, jepma dorën të ecim në tokën e bukur, dy femra të cilat nuk kanë nevoj as të barazohen, as të mbivlerësohen dhe as të nënvlerësohen!
Dy femra që kanë nevojë të jetojnë pa u bërë objekt luftrash injorante dhe të kota.
Mos u ndiko bija ime! Ji ajo cfarë ti meriton të jesh! Një femër. Një grua. Një nënë. Një gjyshe. Një trup dhe një shpirt i cili do i kthehet Zotit të vetë.