FLORA KOPELA
NE SE MENDON
Dhe nëse mendon se një ditë ndoshta,
E vërteta do të mbulohet bashkë me ty
Nuk e di nëse do bindesh po të thosha,
Ajo s’vdes, por përjetësisht mbetet aty.
Nëse mendon se ajo do tretet papritur,
Si vesa mëngjesi, a si ëndërr e trishtë.
Ajo del përpara teje si një yll i ndritur,
Si një lot, a si një dhimbje, ku ta dish.
Nëse mendon se e ke lënë, në harresë,
Dhe shpëtove në fund nga makthi i saj.
E vërteta të del para teje në çdo kthesë,
E ndrojtur ndoshta, por krejt e pa faj.
Aq sa mundet të fshihet një pikëz shiu,
A dielli i pastër kur shkëlqen në shkrepa.
Aq sa mund të fsheh dhe veten e tij njeriu,
Po aq mund të fshihet prej nesh e vërteta.
NE TË TRE
Shikoj të lumtur sytë e tu,
Kaq vite pranë me ty rri.
Unë e lumtur gjithashtu,
Ngrohemi në një dashuri.
S’të lëndova ty asnjëherë,
Dhe ti nuk më dhe trishtim.
Gjithçka kemi ne pranverë,
Me mallin tënd, mallin tim.
S’kam ndrojtje, them shpesh,
Një fjalë të ëmbël e të mirë.
Dhe ti para meje rri e qesh,
Qesh i lumtur ti dhe im bir.
Kështu rrjedh e bukur jeta,
Ne të tre lidhur në një nyje.
Se unë tek ju dy yje i gjeta,
Por dhe ju tek unë gjeni yje.
MËSOHU TI
Mësohu ti të jetosh me ëndrra,
Dhe mes territ të gjesh të mirën.
Lotët me forcë t’ mbash brenda,
E të bëhesh mik me shkretëtirën.
Në duhet nga ty krejt pa ndrojtje,
Lotët t’i kthesh në vesë agimi.
E të kthehet gjithë dhimbja jote,
Në krah të bukur fluture gëzimi.
Nëse gjendesh buzë një gremine,
Kur e qeshura është strukur diku.
I thuaj ëndrrës tënde se je trime,
Trim bëhu dhe ti me të gjithashtu.
Në këtë botë që duket rrëmujë,
Ku lumturia duket e strukur.
Me ballin lart ecë para pa bujë,
Dhe jetës thuaji, prapë je e bukur.
NATË E PREMIERËS
Unë shumë net kam ndenjur zgjuar,
Shikoja atje lart, shikoja të të gjeja ty.
Shpesh errësira gjithçka kish mbuluar,
Dhe ylli dukej se lot qe kthyer në sy.
Ishte nata e fundit e premierës sime,
Ishte nata e fundit, që unë të prisja.
Unë lutesha për ty plotë përgjërime,
Ndoshta do lutesha deri sa të vdisja.
Tani s’ka pse lutem se të kam këtu,
Me ty e ndaj jetën time pa hezitim.
Dhe ti më ke pranë vetes gjithashtu,
Lidhur përjetë me ty, ati i birit tim.
SONTE
Sonte kam dhimbje në trup e shpirt,
Mbi vete ndjej ligësi, derdhur nga ju.
Sonte edhe nata më duket më e trisht,
Ngarkuar me re e pika loti gjithashtu.
Prapë ju dua dhe pse më hidhni baltë,
Dhe nuk hakmerrem me armën tuaj.
As çirrem unë duke ju thënë mjaft,
Dhe pse në heshtje, në heshtje vuaj.
Sonte më dhemb kjo baltë e hedhur,
Por se mundët dot shpirtin e plagosur.
Edhe pse veç një armë më ka mbetur.
Mirësia ime dhe shpirti i pa baltosur.
FJALË DASHURIE
Unë edhe kur qesh, qesh me lot,
Por mbase lotët janë si tepër.
Sot kam një gëzim që se mbaj dot,
Si dashuri, si lojë, a diçka tjetër.
Kam vite që qesh, qesh në heshtje,
Sepse botës i dhashë kaq dashuri.
Duket se asgjë nuk mbajta për vete,
Sepse gjithçka më fale edhe ti.