NDUE SHABAKU
- OPINION 2015
Dy janë konsideratat e para (të përsëritura) që dëshiroj të theksoj në fillim:
E para, përshëndes dhe stimuloj gjithkënd që merr penen dhe hedh në komunkim mendimet, opiniomet dhe arsyetimet e tij/saj, në çdo mënyrë e formë, në rrjetin e komunikimit tonë, tashmë, një realitet sa i bukur, aq intrigues e tërheqës, duke na e shfaqur realitetin në ...të gjitha pamjet, larminë e dinamikën e tij.
E dyta, përgëzoj, përkrah e inkurajoj të gjitha penat krijuese që guxojnë të përcjellin tek ne, lexuesit, përjetimet, mendimet, idetë dhe hedhin veshtrimin nga shtigjet e së ardhmes, qoftë përmes poetikës, qoftë përmes prozës. Të sakrifikosh netë të tëra pa gjumë, për të hedhur në letër atë që kemi dhe na zien në shpirt, është një sprovë e vërtetë, një sfidë ndaj realitetit përmes dritës që hedhin përtej horizontit. Është një kontribut i vyer i artistëve në përgjithësi dhe atyre të fjalës së bukur, në veçanti. Që të realizohet kjo, natyrisht, kërkohet jo vetëm thjesht një angazhim formal, një përvetësim sipërfaqësor të realitetit, por një depërtim në labirintet e jetës, të fshehtat e enigmat e realitetit e shpirtit përmes syve të mendjes dhe përcjelljen tek lexuesi në mënyrë të qartë, të kuptueshme e të prekshme përmes ideve dhe mesazheve.
2 . Vetëm të njohësh realitetin, nuk mjafton.
Vetëm të kesh një kuturë të gjerë, nuk mjafton.
Vetëm të lëvrosh gjuhën ta shkruash bukur atë, nuk mjafton.
Vetëm të kesh fantazi e të trillosh, nuk mjafton.
Vetëm të njohësh artin në rrugën e zhvillimit të tij në shekuj, traditën e arritjet, nuk mjafton.
Vetëm të kesh dëshirë, vullnet e këmbëngulje, nuk mjafton.
Të kesh talent e dhunti, është vetëm një premisë.
Te gjitha këto elemente së bashku, të harmonizuar e sinkronizuar, kur vihen në akt përmes shkrimeve e krijimeve, janë baza mbi të cilën ngrihet indivudualiteti artistik, personaliteti dhe autoriteti i krijuesit. Sigurisht, nuk ngrihet as për një ditë, as për një muaj, as për një vit ...
3 . Komunikimi direkt me lexuesin përmes rrjetit social, ka shumë vantazhe. Jemi dëshitarë që na janë servirur krijime vërtetë të bukura e plot vlera. Por duke qenë një bshkëbisedim i hapur, i shpejtë e i ndjeshëm, është tepër stimulues për t'u prezentaur në mënyrë të nxituar, pa i analizuar disa faktorë të realiteti e komunikimit, po ashtu, pa u parë me përgjegjësi elementët ndërtimore e artistikë të krijimit. Po përmend disa dukuri që më duket se vuan krijimtaria e servirur në rrjetin social gjatë kësaj periudhe që po kalojmë:
a . Tepër e anuar nga gazetarizmi. Është e vërtetë që edhe arti merr motive nga realiteti, frymëzohet nga ai e trajtohet dendur. Veçse me mënyra të ndryshme. Gazetaria e pasqyron drejtpërdrejt dhe mbi të ngre arsyetimet. Ndërsa artisti zgjedh momente që tipizojnë realitetin dhe e trajtojnë atë në mënyrë të tërthortë, të fantazuar e trilluar, që të gjejë motivet për të nënkuptuar e zbuluar arsyetimet e enigmat vetë lexuesi.
b . Mënyra e publikimit. Fakt i pamohueshëm është që lexues ka fare pak. (Për të mos thënë aspak.) Ndërsa krijimtari artistike, shumë. Në masën më të madhe, edhe me cilësi që lë për të dëshiruar. Kam dyshimet e mia në vlerat që pretendohen nga shumë krijues. Kështu, lexuesi vetëm sa largohet e ftohet. Ndaj mbetet një detyrë që krijuesit të gjejnë rrugën e mënyrën që ta afrojnë lexuesin. Ndoshta, pikësëpari, duke u prirur më shumë nga cilësia, që lexuesi te bëjë dallimin mes vargëzimit e bejteve nga krijimet e kompletuara në parametrat ndërtimore e vlera artistike.
c. Zgjedhja e fjalorit jo të përshtatshëm poetik ë përgjithësi. Do të përmend dy dukuri. Fjalë të tilla absolutizuese, si; absolutisht, verbërisht, kategorikisht, shprehimisht, etj. të cilat janë skaji i elasticitetit të mendimit e arsyetimit,dhe mbyllja e shtegut të frymëmarrjes së mendimit për lexuesin; fjalë me prapashtesën -shëm, si; ashpërsueshëm, pashmangshëm, dëgjueshëm, depërtueshëm ..., të cilat rëndojnë poetikën me shprehje të sforcuara. Dhe e dyta, përdorimi i disa fjalëve deri banalitete rrugësh, duke na i paraqitur si "guxim" e thyerje tabushë.
ç . Me keqardhje, më duhet të shkruaj edhe diçka që ka të bëjë më etikën dhe atmosferën e braktisëse që krijohet nga marrëdhëniet mes krijuesve. Kjo ka sjell edhe mosleximin e njëri-tjerit. Në vend që t'i njohin meritat, e përçmojnë e denigrojnë me keqdashje kolegun/en në art. Cinizmi, denigrimi, akuzat e pakuptimta ... lëkundin rëndë predispozicionin e forcave krijuese për të njohur arritjet bashkëkohore dhe për të këmbyer përvojat.
4 . Një tjetër problem është edhe momenti i zgjedhjes së redaktorit letrar e korrektorit gjuhësor. Fakti që nuk ekziston më censura, apo rreptësia e redaksive, në rrjetin social është e mundur të publikohet pa iu nënshtruar filtrit të kritikës. Vetëm më pas kërkohet një sistemim a rishikim nga redaktorët. Kështu që kërkohet një përgjegjësi më e madhe individuale ndaj asaj që servirin për lexuesit. Disa krijues, duke mos qenë të bindur e të sigurtë në aftësitë e tyre, bëjnë zgjedhjen e redaktorëve më shumë të vetëshpallur të tillë, me mangësi njohurishë profesionale.
Në qoftë se i referohemi gjuhës shqipe, me rregullat e saj të ndërtimit të shprehjes dhe të drejtshkrimit, shuma e librave kohët e fundit, nuk do ta kishin parë dritën e botimit.
Duke gjykuar se shpreh mendimin e të gjithëve, theksoj se redaktori i parë dhe kryesor është vetë krijuesi. Por, gjithmonë, ai/ajo krijues/e që i përkushtohet ngritjes profesionale dhe i vë në akt ambicjet e veta gjatë shkrimeve. Pa rritje profesionale, autori rrezikon të mbetet gjithmonë në stadin e vargëzimit, të folklorizmit e të bejteve.