ALMA BEGAJ
NDËR LOT...
Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.
TROKTH
Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.
NJOHJE
Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!
Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!
NATË
Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.
Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.
THESARI
Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.
DRITË NGA DASHURIA
Rrufeja
çan qiellin.
E vret në errësirë
qiririn e natës’.
Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!
Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.