MIRELA LAME
SA HERË...
... më merr malli për duart e tua,
shtrëngoj mullirin ngjyrë argjend,
të arta duart, me kallo, me rrudha,
të arta fjalët e tua me vend!
Fjalët, po!!!... "Fjalën ta bluash
krejt mirë e hollë, lehtë e ngadalë,
e do shijohet aq shumë kur ta thuash,
si kafe e ngrohtë pas një rruge të gjatë!"
Ç'i shihte syri, ia bënte dora,
nga dor' e babait kam dhe një mulli,
më çlodh e sa më shumë kalon koha
ndriçon si argjendi e bluan flori !!!
BURRË
Një përshkrim të thjeshtë nga unë,
ty, fjalëpak e punëshumë:
Që je emri përmbi portë,
mbiemri në pasaportë,
nyja e rasës gjinore,
përemrit në mashkullore,
kur më pyesin nga vij,
jam e bija e Atij!
Fjala që fjalisë i duhet,
sa me vend!...nga vendi s'luhet!
Ëmbëlsia, mirësia,
në këtë gjuhë nuk kanë gjini,
mund t'i kem unë femërorja,
t'i kesh dhe ti gjithsesi!
Unë me shkronja delikate,
ti me fjalë që peshojnë gurë,
mua ma vunë emrin grua,
e ty të quajtën burrë.
Lexoj e dëgjoj të thuhet:
Nëse më mban si princeshë,
do të thotë me fjalë të thjeshta:
Të ka rrit një mbretëreshë!
DHE KJO S'ISHTE PARË...
Drejt me thënë, të gjitha i kisha menduar,
po kurrë që do flisja me një merimangë;
ajo majë tavanit me vello mbuluar,
unë e kapardisur mirë përmbi divan.
"Gjithë mundin qëndisur nëpër atë qoshe,
po kjo puna jote më duket punë boshe...
Po të them dicka...besomë, më vjen keq,
po nga ajo qoshe duhet të të heq!
Po shkoj të marr fshesën...dhe do bëjmë një pakt:
Mos më zbrit përdhe,... fshesës rriji lart!
Pastaj nga ballkoni me "litarin" zbrit,
bëj vend diku tjetër dhe mos m'u mërzit!
S'ke ç'i bën, kështu e paska kjo jetë,...
jo të gjithë ndërtojnë ku dëshirojnë vetë.
Jo të gjithë jetojnë ku lindi i pari,
ja ku po ta thotë një shpirt mërgimtari ".
Dëgjoi sa dëgjoi e zbriti ngadalë...
Lezet kur gjallesat kuptohen me fjalë!
Nënshkruam kështu në heshtje e respekt
"traktatin e paqes" unë dhe një insekt.
BUZËMBRËMJE
Dashuruar me artistin,
atë nga më të mëdhenjtë,
si penel ma ngjyen shpirtin,
në gri, në të kuqërremtë...
Më rrëmben nëpër relieve,
më mashtron si ujk i vjetër,
më pëlqen gjithcka tregon,
dhe pse mund të jetë gënjeshër.
Dy male, diellin në mes,...
thotë: e sheh si përqafohen?
Nuk është fare e vërtetë
që mali me mal s'takohen!
Disk i skuqur, përvëluar,
digjet me valën të flerë,
shkrihet me të përqafuar,
e s'shkon në vise të tjerë.
Unë e vogla Kësulkuqe,
në barkun e ujkut tim,
nuk dua të më shpëtoni...
Ai quhet Perëndim!
E VËRTETË!
Mes ëndrrave të mia më erdhi mbrëmë babai,
e nuk po e tregoj sa për një tjetër poezi,
po kushedi sa herë edhe ty të ka ndodhur,
prandaj dhe po e shkruaj, që ta lexosh dhe ti.
Xhaketën përmbi supe, në moshë tepër të re,
ëmbël më përshëndeti, i ulur në kolltuk:
A të kujtohet basma që at'herë të dhurova?
Të bukur që ma kishe atë fustan moj çupë!
Buzëqeshi, fshiu lotët e ngadalë u largua,
unë hapa sytë, kujtimet u zgjuan njësh me mua:
Isha një vajzë gjimnazi kur vishja at' fustan,
topa të kuq, të zinj e lule anembanë.
Ta gjej prapë atë basëm kryq do i bie botës,
do vesh atë fustan, le të mos jetë i modës,
e përsëri mes ëndrrash babai do më shfaqet,
unë me atë fustan, shpirti do i kënaqet!
THJESHT KËSHTU!
Na ishte njëherë... dashuria,
sa flutura nëpër stomak,
aq yje në qiellin e syve,
ngurrim, si të ishte mëkat.
Na ishte dikur...dashuria
lëndinë luledelesh ngado,
petal i këputur mbi prehër,
sa dridhshëm!!!...."më do a s'më do?"
Na ishte dhe po e tillë mbeti,
thëngjill i mbuluar nga flakë,
që edhe pse shumë shpirtra treti,
prapë s'mundën ta quajnë "mëkat".
Na ishte njëherë... dashuria,
ajo që provoi brezi im,
dy zemra në role shenjtorësh,
at'herë nuk kish Shën Valentin!
... më merr malli për duart e tua,
shtrëngoj mullirin ngjyrë argjend,
të arta duart, me kallo, me rrudha,
të arta fjalët e tua me vend!
Fjalët, po!!!... "Fjalën ta bluash
krejt mirë e hollë, lehtë e ngadalë,
e do shijohet aq shumë kur ta thuash,
si kafe e ngrohtë pas një rruge të gjatë!"
Ç'i shihte syri, ia bënte dora,
nga dor' e babait kam dhe një mulli,
më çlodh e sa më shumë kalon koha
ndriçon si argjendi e bluan flori !!!
BURRË
Një përshkrim të thjeshtë nga unë,
ty, fjalëpak e punëshumë:
Që je emri përmbi portë,
mbiemri në pasaportë,
nyja e rasës gjinore,
përemrit në mashkullore,
kur më pyesin nga vij,
jam e bija e Atij!
Fjala që fjalisë i duhet,
sa me vend!...nga vendi s'luhet!
Ëmbëlsia, mirësia,
në këtë gjuhë nuk kanë gjini,
mund t'i kem unë femërorja,
t'i kesh dhe ti gjithsesi!
Unë me shkronja delikate,
ti me fjalë që peshojnë gurë,
mua ma vunë emrin grua,
e ty të quajtën burrë.
Lexoj e dëgjoj të thuhet:
Nëse më mban si princeshë,
do të thotë me fjalë të thjeshta:
Të ka rrit një mbretëreshë!
DHE KJO S'ISHTE PARË...
Drejt me thënë, të gjitha i kisha menduar,
po kurrë që do flisja me një merimangë;
ajo majë tavanit me vello mbuluar,
unë e kapardisur mirë përmbi divan.
"Gjithë mundin qëndisur nëpër atë qoshe,
po kjo puna jote më duket punë boshe...
Po të them dicka...besomë, më vjen keq,
po nga ajo qoshe duhet të të heq!
Po shkoj të marr fshesën...dhe do bëjmë një pakt:
Mos më zbrit përdhe,... fshesës rriji lart!
Pastaj nga ballkoni me "litarin" zbrit,
bëj vend diku tjetër dhe mos m'u mërzit!
S'ke ç'i bën, kështu e paska kjo jetë,...
jo të gjithë ndërtojnë ku dëshirojnë vetë.
Jo të gjithë jetojnë ku lindi i pari,
ja ku po ta thotë një shpirt mërgimtari ".
Dëgjoi sa dëgjoi e zbriti ngadalë...
Lezet kur gjallesat kuptohen me fjalë!
Nënshkruam kështu në heshtje e respekt
"traktatin e paqes" unë dhe një insekt.
BUZËMBRËMJE
Dashuruar me artistin,
atë nga më të mëdhenjtë,
si penel ma ngjyen shpirtin,
në gri, në të kuqërremtë...
Më rrëmben nëpër relieve,
më mashtron si ujk i vjetër,
më pëlqen gjithcka tregon,
dhe pse mund të jetë gënjeshër.
Dy male, diellin në mes,...
thotë: e sheh si përqafohen?
Nuk është fare e vërtetë
që mali me mal s'takohen!
Disk i skuqur, përvëluar,
digjet me valën të flerë,
shkrihet me të përqafuar,
e s'shkon në vise të tjerë.
Unë e vogla Kësulkuqe,
në barkun e ujkut tim,
nuk dua të më shpëtoni...
Ai quhet Perëndim!
E VËRTETË!
Mes ëndrrave të mia më erdhi mbrëmë babai,
e nuk po e tregoj sa për një tjetër poezi,
po kushedi sa herë edhe ty të ka ndodhur,
prandaj dhe po e shkruaj, që ta lexosh dhe ti.
Xhaketën përmbi supe, në moshë tepër të re,
ëmbël më përshëndeti, i ulur në kolltuk:
A të kujtohet basma që at'herë të dhurova?
Të bukur që ma kishe atë fustan moj çupë!
Buzëqeshi, fshiu lotët e ngadalë u largua,
unë hapa sytë, kujtimet u zgjuan njësh me mua:
Isha një vajzë gjimnazi kur vishja at' fustan,
topa të kuq, të zinj e lule anembanë.
Ta gjej prapë atë basëm kryq do i bie botës,
do vesh atë fustan, le të mos jetë i modës,
e përsëri mes ëndrrash babai do më shfaqet,
unë me atë fustan, shpirti do i kënaqet!
THJESHT KËSHTU!
Na ishte njëherë... dashuria,
sa flutura nëpër stomak,
aq yje në qiellin e syve,
ngurrim, si të ishte mëkat.
Na ishte dikur...dashuria
lëndinë luledelesh ngado,
petal i këputur mbi prehër,
sa dridhshëm!!!...."më do a s'më do?"
Na ishte dhe po e tillë mbeti,
thëngjill i mbuluar nga flakë,
që edhe pse shumë shpirtra treti,
prapë s'mundën ta quajnë "mëkat".
Na ishte njëherë... dashuria,
ajo që provoi brezi im,
dy zemra në role shenjtorësh,
at'herë nuk kish Shën Valentin!