PILO ZYBA
MIRMËNGJES DASHURI
- pjesë nga poema -
Këtë mëngjes tetori,
Me majën e penës së mendimit,
Shkunda retë në qiellin e kaltër
Dhe i ktheva në vesë,
Për të vaditur lulen e buzëqeshjes tënde!
Mirmëngjes bukuri e prillit,
Që jeton në të gjitha stinët,
Dhe sit me retinën e syrit tënd
Pranverën, që shkon këmbëzbathur
Rërës së lagur të Oqeanit!
Mirmëngjes dallgë e kaltër,
Që vjen duke vallzuar
E përplasesh në brigjet e mendimeve të mia.
Ti që lag me stërkala kaltërsie dëshirat,
Lulëzimin e harlisur të buzëqeshjes,
Dhe rrugën e shtruar me petale drite
Nga hëna e qiellit tonë, të mbushur me yje!
Ah, kjo rrugë e largët,
E shtruar me dëshira, si me gurë të kalldrëmtë,
Të skalitur nga duar dhe mendje të dashuruar,
Ku ne ecim këmbëzbathur,
Të lehtë,
Herë i prekim, herë i puthim gishtëzat e gurëve,
Latuar nga këmbet e udhëtareve në shekuj,
Nga karvanë dashurish, që ikën e nuk u kthyen!
Ne, pasardhësit e Aleksandrit, Pirros, Teutës,
Që kurre nuk rendëm të puthim lavdinë,
Kurrë nuk vrapuam të pushtonim toka, kontinente,
Por rendëm të zbulonim te njëri tjetri
Thellësinë e detit të ndjenjave, arat e shpirtit,
Bukurinë dhe lulëzimin e stinëve,
Rrahjen e shpejtë të zemrës,
Nga rrjedha e vrullshme e lumenjve
Të ndjenjave te të gjitha luginat e kodërzimet e trupit...
Mirmëngjes vasha ime, Rozafa ime,
Që sisën e dashurisë ma dhurove për ta pirë të plotë,
Që me ushqeve me dashurinë që pikërzohet,
Embëlsohet dhe del si pikëz vesë në petalet e buzëve,
Të atyre buzëve, që kur puthja bie mbi to,
Kthehen në ditë-vezullime e hapësirë,
Ku pulbardhat e gëzimit çukisin me sqep
Mëngjesin e bardhë të lumturisë!
Çfar ndodh kështu me ne,
Si do ta mbajmë të ngritur vallen duke qënë kaq larg?
Thua do shtrijmë krahet e erës për të prekur njëri tjetrin,
Dhe do vallzojmë në qiell dhe në tokë
Vetëm me dëshirat,
Pa prekur dhe pa berë bashkë kurmet?
Dashuria jonë do jetë një pjalmëzim,
Që nën sonetet e flladit dhe të erës,
Do bëjë bashkimin e poleneve për ti kthyer në mjatë?
Nuk e di, mos më pyet më shumë,
Di vetëm që arave të shpirtit më vrapojnë kuaj,
Kuaj jele-bardhë, që trokëllojnë, vrapojnë,
Bien tek ti e me sjellin prej teje dëshirën e madhe për kalërim,
Për rendje drejt një të ardhme të pa njohur,
Të pa prekur më parë nga pëndelehta penë e shpirtit tim,
Por as nga petalet e buzëve të etura për dashuri.
Deti im ku dua te hidhem,
Të mbledh thellësive perlat që ëndërrova në jetë,
Dhe të dal bregut të kaltër të gëzimit tënd,
E ti them botës: - Ka lumturi në botë,
Po, ka sepse e preka vetë, e përkëdhela,dhe,
Nën dritën dhe rrezatimin e perlave të saj,
U berë 100 fish më i madh, më i fortë, më i bukur!
Eh, botë e madhe, me dete, stinë dhe lumenj,
Me male hallesh ngarkuar,
Me dëborë që nuk kalohen kurrë!
Me stinë të çmëndura që nuk qëndrojnë statike,
Të pa qëndrushme, herë të bardha, të blerta, të hirta,
Që sillni dhe mbillni në arat e shpirtit të njeriut,
Frutet e mirësisë, urrejtjes, dashurisë e zilisë,
Të këtyre bimëve që i derdhni të gjitha bashkë,
Dhe njeriu duhet ti zgjedhi,
Ti veçoje, e ti ruaj me kujdes në jetë!
Dashuri,
Ku ta gjej sot një hidrocentral drite,
Të të bëj të dukshme dhe të qartë rrugën
Nga nisesh, dhe për ku je nisur?
Të të vesh me valët e lumit të kthyer në rreze,
Të të shikojë bota, sa e bukur je!
Të të jap forcën e turbinave,
Të përmbysesh detet e keqkuptimeve
Kanuneve të krijuar për frenim.
Të të hap portat e ëndrrave
Të vraposh e lirë, herë me këmbë, herë me krah,
Për të prekur dhe shijuar mollën e ndaluar të Adamit!
Mirmëngjes dashuri,
Ti e vogla që luaje me një këmbë,
Që kërceje me litarin e vogël në lagje,
Por që ai litar u bë i gjatë dhe nuk të la të kapërceje
Vështrimet ziliqare të lagjes, qytetit, dhe të ardhmes tënde!
Dashuria ime,
Vogëlushja me buzëqeshjen e harlisur të moshës,
Ngarkuar në vite nga peshat e stineve të rënda,të viteve,
Supe krrusura, zemër vrara, që kërkon fluturimet e humbura!
Ku ta ngrej një aerodrom të vogël,
Që me helikat e mendimeve dhe dëshirave të tua,
Të ngrihesh, të shkëputesh nga toka,
Dhe të ulesh në aerodromin e parajsës sime,
Që të pret krahëhapur, shpirt hapur, buzëhapur?
*
Shikoj një Pilivese që hap krahët përmbi ujra,
Krahët e ngjyrosur me rreze mëngjesore dielli.
I pulit lehtë si dy qerpikë të brishtë e të lehtë,
Pastaj,
Ulet ngadalë mbi majën e një kallami të hollë
Që ngjan si gisht tregues,e që numëron yjet natën.
Aq shume yje që ndrisin,dashuria ime,
Aq dashuri kanë bërë dritë në shekuj,
Dhe bashkë me ta do jetë dhe drita e dashurisë tonë,
Edhe në qiellin e mbrëmjes, dhe në tokën e bleruar!
Pilivesa pulit krahët dhe ngrihet, ngrihet, ngrihet,
Ngrihet te preki me flatrat e saj helikopterike
Zërat dhe qeshjet e të dashuruarve.
Pilivesa është një pasthirmë e thellë ndjenje,
Që del nga shpirtra të dashuruar,
Me flatrat e saj ikën të shkruaj në kubenë e qiellit,
Ritmin e levizjes së krahëve,
Ngrohtësinë e valëve të detit të shpirtit.
Ajo nën vështrimet e mia dhe të dritës,
Përkund belin e bukur,
Bën heroglife që deshifrohen vetëm nga të dashruarit.
Unë rend pas ngjyrave dhe fluturimit të saj.
I thërras, Pilivesa ime, Pilivesa ime, me prit,
Me prit, ta bëjmë rrugën e fluturimeve bashkë...
Ajo kthen syrin e kaltër,
Lëshon një qeshje të bukur përkedhlese,
Dhe ngrihet lart,lart,lart,
Atje ku me shtizat e dëshirave
Kemi thurur folezën e ëndrrave tona,
Dhe ku presim të prehemi deri në përjetësi.
Mbushe kraharorin me fryme, dashuria ime...
Dua që nën tingujt e gajdes së të qeshurës tënde,
Të kërcej një valle të veshur me ngjyrat e shpirtit,
Me krahët e erës të ngjitem në qiellin e gëzimeve te tua,
Të bëhem fluturak,
Ashtu si më bën prekja e buzës e puthjes tënde...
Dua që brënda zërit tënd,
Të lahem, të mbytem, të dal përsëri,
Të dal i pagëzuar nga mëkatet e kësaj bote të marrë,
Duke nxjerrë nga thellësia e detrave të tua,
Të gjitha bimët që i mbyti koha,
Ti nxjerr në dritë,
Ti nxjerr nën hënë,
Të shikojne si çelin lulet, si harlisen ndjenjat,
Si pupërzohet sipërfaqja e lekurës së hënëtrupit tënd,
Kur mbi të kalon frymëmarrja e një fluture,
Që kërkon lulen që u përshtatet në ngjyra,
Në aroma,në bukuri dhe në kordat e zërit,
Në ëmbëlsinë që lëshojnë në maxhore telat e tendosur të dëshirave.
Ne, shpirti im,
Do bëjmë një dueto,
Një sinfoni që do ti mbetet kohës dhe brezave,
Për atë që i mungon sot kohës,
Për të pranuar dashuritë,
Të cilat lindin pa letrën e bardhë të punonjësit të bashkisë,
Dhe pa psalltjen e gjatë dhe të paguar të priftit plak,
Të priftit që ka kryer mijra rite në jetën e tij,
Por që kurrë nuk hodhi atje ilacin e ngjitjes
E të ngjizjes së dashurisë,
Vetëm u këndoi sipas mënyrës dhe rutinës,
Që vjen nga shekujt,
Por që plori i parmëndes i është thyer nga koha.
Ne nuk do firmosim,
Nuk do bërtasim në prani të njerzve,
Për të vërtetuar, sa duhemi,
Sepse ne firmosim me vështrime, me prekje,
Me dhjetra premtime,
Që çdo ditë ngrejnë lart e me lart kalanë e dashurisë.
Ti i bie Gajdes, unë kërcej, pastaj kërcejmë të dy,
Ne jemi të pa dukshëm në kercimin tonë,
Na shikojnë vetëm yjet, vetëm hëna,
Ndonjëri prej tyre nga melodia e gëzushme e zërit,
Valles tonë, mallëngjehet dhe bie...
Sepse dhe ai ishte prej mijra vjetësh i detyruar
Të jetonte në gjirin e natës,
Dhe nuk e shikonte lulëzimin e pemëve,
Luleve dhe as vesën e mengjesit,
Që bie dhe shkëlqen në tabakanë e gjethes pemë.
Pastaj, pastaj e dashur,
Të më puthesh në buzët e zhuritura
Nga mungesa e dashurisë në vite,
Të me shtërngosh fort,
Të nxjerrësh sisën e bukur dhe të ma vësh te goja.
Le të dridhen malet,
Le të tunden gjethet e thara të pemëve të vjetra,
Sepse, ne jetojmë kohën dhe vitet e lulëzimit tonë.
*
Në të gdhirë, dashuria ime,
Të kam parë në ëndërr në gjumin e mëngjesit.
Më kishte zënë gjumi,
Ti qëndroje mbi mua me flokë të lëshuara,
Dritarja kishte hapur krahët,
Flladi që futej brënda,
I përkundte mbi fytyrën time,mbi sytë e mi.
Zgjata duart, por nuk të kapa dot,
Nuk të preka dot,sepse, ëndrrat nuk kapen,
Ato jane filma që i krijon vetë ndjenja,
Ato janë përfyturimi i dëshirave të njeriut...
U ngrita!
Ti ecje nëpër dhomë ashtu flokë lëshuar,
Me një këmishë me tantella,
Të thurura gërshet nga shtizat e mallit të dashurisë.
Të thirra; eja këtu dashuria ime,
Ti si Ofelia e Hamletit,vrapove dhe hipe në dritare.
Të bërtita, mos u hidh, mos u hidh,
Por në vënd të përgjigjes,
Mora rrahjen e krahëve të tu,
Të këmishës që u hap, e ti u ktheve në pilivesë.
Të shikoja kur largoheshe drejt horizonti të ri,
Horizonti ikte me tej, më lart, më larg.
Të thirra, prit!
Por ti u hodhe, shpirt, u hodhe,
Fluturove mbi pemë, mbi lule,
Unë shikoja vetëm vizionin tënd,
Palat e fustanit dhe krahët e hapur,
Si pilivesë iknin, kalonin horizontin,
Për ta bërë botëm më të bukur, më të qartë,
Vizionin që jep dëshira e ndjenja e bukur e dashurisë...
Të thirra përsëri, më prit, më prit!
Ti e degjove thirrjen time, u ktheve!
Nuk të shikoja por,
Vetëm dëgjoja rrahjet e krahëve të tu të brishtë.
Pastaj,
Pastaj qëndrove në majën e një peme,
Sikur doje të më thoje:
“Ne do jemi të pa dukshem për të tjerët,
Por për vete të dukshëm”.
Hape kraharorin e u shfaqe në horizonte me hire zbuluar.
Atëherë,
Atëherë dita çeli dhe u bë më e bukur,
Të gjitha morën pamjen dhe bukurine e trupit tënd,
Të buzeqeshjes tënde, frymëmarrjes tënde...
Unë u hodha nga dritarja,
Pa menduar që nuk kam krah,
Por për çudi,
Për çudi fluturova dhe unë,
Erdha në degën e cicërimave të tua,
Për ti kënduar jetës një duet të rrallë,
Shoqëruar nga pianoja e tastjerave të detit dallge,
Shoqëruar nga shushurima e krahëve të pulbardhave,
Që fluturonin mbi ne si kartolina urimesh.
Ti je dirizhentia e dashurisë tonë,
Rrahjet e zemrës tënde jane ritmet e saj...
Ne hapëm shpirtin, dita hapi syrin,
Jeta mori gjallëri nga dashuria jonë...